Uncategorized

GËZOHUNI O BESIMTARË ME PREMTIMIN E ALLAHUT DHE QËNDRONI DURIMTARË NË KËTË RRUGË!

Allahu i madheruar thote: “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë.” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u trishtoni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Botën Tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” Fusilet 30 – 32

Shpjegimi i ajeteve

Allahu i Lartësuar sjell një lajm të gëzuar për të dashurit e Tij të zgjedhur, për besimtarët e devotshëm dhe të sinqertë. Kështu, Ai kalit vullnetin e tyre dhe nxit tek ata ambicien për punë të mira dhe për bindje ndaj Tij. Kjo është, gjithashtu, një nxitje për të gjithë, që të bëhen si ata. Ai thotë:

– “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë,…” – Të tillët e pranojnë me zemër, e dëshmojnë me fjalë dhe janë të kënaqur që Allahu është Zoti, Sunduesi, Pronari dhe Rregulluesi i çështjeve të krijesave. Gjithashtu, ata i nënshtrohen plotësisht urdhrit dhe vullnetit të Zotit të tyre. Përveç kësaj, ata janë sistematikë dhe të palëkundur në ndjekjen e rrugës së drejtë. Ecja në rrugën e drejtë varet nga dy kushte: nga pasja e dijes së saktë dhe të sigurt prej Zotit dhe, së dyti, nga puna e sinqertë, në përputhje me atë dituri. Domethënë, për të tillë njerëz është lajmi i mirë në dynja dhe në ahiret, se:

– “…do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u trishtoni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!

” – Melekët zbresin tek këta të zgjedhur dhe i vizitojnë në çastet e vdekjes. Melekët iu drejtohen besimtarëve, që po presin vdekjen, me fjalët më të ëmbla e qetësuese. Ata iu thonë: “Mos kini frikë nga ajo që ju pret pas vdekjes! Mos u trishtoni nga ato që kanë kaluar!” Kështu, ata i sigurojnë besimtarët se janë të shpëtuar nga çdo e keqe që lidhet me të shkuarën apo me të ardhmen e tyre. Më pas: “…gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!” – pra, gëzohuni, sepse Xheneti është i sigurt për ju, duke u zbatuar kështu premtimi i Zotit për robtë e Tij besimtarë. Në vijim, duke i përgëzuar dhe qetësuar besimtarët, melekët u thonë:

– “Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Botën Tjetër.” – Në jetën e dynjasë, melekët i nxisin besimtarët për punë të mira dhe ua zbukurojnë ato në zemrat e tyre. Po ashtu, ata ua bëjnë të shëmtuar të keqen në zemër dhe i frikësojnë besimtarët që të mos e veprojnë atë. Melekët i luten Allahut për besimtarët, madje i mbështesin realisht ata në kohë sprovash dhe frike, e sidomos në momentet e vdekjes, në jetën e varrit, gjatë errësirës dhe vetmisë së tij, në Ditën e Kijametit, gjatë tmerreve të saj, në kalimin mbi Sirat etj. Madje, edhe në Xhenet ata nuk iu ndahen, por vazhdimisht i përgëzojnë dhe i urojnë për mirësitë dhe begatitë e Allahut të Lartësuar. Ata hyjnë nga çdo portë, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata që e përmbushin besën e dhënë Allahut dhe nuk e shkelin fjalën e premtuar; Ata që i ruajnë lidhjet që Allahu ka urdhëruar të ruhen, i frikësohen Zotit të tyre dhe i druhen gjykimit të rëndë; Ata që ngulmojnë me durim për të arritur dashurinë e Zotit të tyre dhe falin me rregull namazin; ata që japin haptazi dhe fshehtazi nga ajo që u kemi dhënë Ne dhe të keqen e kthejnë me të mirë – këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e përjetshme, (Për ta janë përgatitur) Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë. Melekët do t’i vizitojnë ata, duke u hyrë nga çdo portë: “Selamun alejkum! Me durimin tuaj gjetët shpëtimin. Sa e mirë është Shtëpia e tyre e përjetshme!”” [Rad 20 – 24].

– “Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni.” – Në Xhenet, ata do të kenë gjithçka që ua dëshiron shpirti, gjëra të cilat do t’i gjejnë gati. Ata do të kërkojnë atje atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe që askush nuk ka mundësi ta përfytyrojë në këtë botë, dhe gjithçka që do kërkojnë do t’u jepet.

– “Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – I gjithë ky shpërblim kaq i madh, e gjithë kjo mirësi e përjetshme është begati dhe bujari e Allahut të Madhërishëm, i Cili përmend dy emra të mrekullueshëm të Tij. Ai është Falësi i Madh, i Cili fal gjynahet dhe mangësitë e robve të Tij. Allahu është gjithashtu Mëshirëploti, i Cili jep forcën dhe suksesin për të vepruar çdo të mirë, dhe pastaj i pranon ato, pavarësisht nga mangësitë e tyre. Me faljen e Tij, Allahu largon të keqen prej njerëzve, ndërsa me mëshirën e Tij, Ai u mundëson të arrijnë të mirat dhe gjërat që dëshirojnë.

TEFSIRI I SA’DIT