Lajme

“I thashë jam nga Kosova, ai filloi të qajë…”, flet shqiptari që iu ndihmoi gjermanëve pas vërshimeve

Lulzim Hajdaraj bashkë me vëllain e tij Gëzimin, udhëtuan nga Këlni, drejt qytetit Bad Neunar të Gjermanisë, për t’iu dalë në ndihmë personave që u dëmtuan jashtëzakonisht nga përmbytjet që kanë përfshirë Evropën.





Lulzimi tha se të dielën në orët e vona të mbrëmjes janë kthyer në shtëpi, pas qëndrimit në qytetin i cili sipas tij, ishte përmbytur pothuajse i tëri.

“Ne shkuam në mëngjes dhe pritem gjatë në kolona për të hyrë në qytet”, tha Hajdaraj.

Tutje, ai tha se me të arritur në qytet bashkë me vëllanë, kanë pyetur se kush ka nevojë për ndihmë në pastrimin e banesave dhe lokaleve, të cilat siç thotë Lulzimi, ishin dëmtuar dhe mbushur me baltë.

“Në katet e para, podrumet ishin të prishura, kishte shumë baltë. Ne iu ndihmuam t’i hedhim jashtë të tëra. Ishte trishtim të shohësh ashtu një qytet të tërë të shkatërruar”, tha shqiptari nga fshati Abri i komunës së Drenasit.

Ndër të tjerash, Lulzimi tregoi për Klankosova.tv se gjermanët ishin gëzuar që këta dy vëllezër shqiptarë kishin marrë rrugë nga Këlni për t’iu dalë në ndihmë.