Lajme

Izraeli godet spitalin e fëmijëve në Rripin e bllokuar të Gazës

Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore në disa zona në Rripin e bllokuar të Gazës.

Sipas burimeve në Gaza, forca ajrore izraelite kreu sulme në një zonë në qytet, kampin e refugjatëve Al-Bureyj dhe zonën Deyr-Belah në rajonin qendror të Rripit të Gazës.

Sipas dëshmitarëve okularë në zonë, sulmi ndaj rrethit Tuffah në pjesën lindore të qytetit shkaktoi dëme në vendbanimet civile, spitalin e fëmijëve “Mohammed Durra” dhe Qendrën e Rehabilitimit për Personat me Aftësi të Kufizuara.

“Spitali i fëmijëve “Mohammed Durra” ka pësuar dëmtime të mëdha”, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë në një deklaratë me shkrim.

Në deklaratë bëhet e ditur se fëmijët, shoqëruesit dhe ekipet mjekësore në spital përjetuan panik të madh për shkak të sulmit, ndërsa theksohet se sulmi pamundësoi shërbimet shëndetësore dhe bëri që dritaret e dhomave të pacientëve dhe të shumë shërbimeve të tjera të thyhen.

“Ky sulm gjithashtu preku rëndë psikologjinë e fëmijëve të shtruar në spital”, thuhet në deklaratë.

Ushtria izraelite pretendoi në llogarinë e saj në Twitter se ka goditur një vend për prodhimin e raketave, një tunel dhe një zonë ushtarake që i përkisnin Lëvizjes Hamas.

Gjithashtu më herët, ushtria izraelite njoftoi se dy raketa të lëshuara nga Gaza në disa zona paralele me kufirin u rrëzuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore “Kubeja e Hekurt”.