Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Valon Vulës i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor për tri vepra penale, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Vula dyshohet se ka kryer ka kryer veprat penale “Kanosje”, “Vrasje e rëndë në tentativë”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Prokuroria njofton se, më 21 qershor 2022, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, i pandehuri, seriozisht i kanos se do ti privojë nga jeta anëtarët e familjes, përkatësisht nënën, babain, si dhe, motrën e tij. Kanosja ka ndodhur përmes telefonit duke iu thënë se do iu vras të gjithëve, përfshirë edhe fëmijët e motrës së tij”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu bëhet e ditur se me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta vëllain e tij, të dëmtuarin B.V., për shkak të problemeve të mëparshme, në lidhje me ndarjen e pasurisë.
“I pandehuri V.V., paraprakisht kishte kërkuar të takohet me të dëmtuarin në zyrën e tij, e më pas duke e kanosur me fjalë, me armë zjarri gjuan disa herë në drejtim të këmbëve të dëmtuarit e pastaj i drejton armën në fytyrë, ku deri sa i pandehuri tenton ta ndërroj karikatorin, i dëmtuari arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe njofton policinë”, vazhdon tutje njoftimi i Prokurorisë.
Sinjali mëson se pas arrestimit të tij, Policia ka sekuestruar armën e përdorur në rast, bashkë me disa gëzhoja e rreth 200 fishekë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.