Lajme

Kosova dhe Shqipëria konfirmojnë mikpritjen për afganët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot konfirmuan atë që dy ditë më parë raportoi Agjencia “Reuters”, se Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime me Kosovën dhe Shqipërinë për të strehuar përkohësisht afganët, që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.





Presidentja Osmani nuk ka folur për favoret ekonomike dhe politike, që pretendohej nga agjencia britanike e lajmeve “Reuters”, për marrjen e disa mijëra afganëve, por tha se bisedimet për këtë çështje janë zhvilluar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, më 16 korrik të këtij viti.

“Më 16 korrik, pak ditë pasi bota, e sidomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, jam kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë. Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë”, ka thënë sot presidentja Osmani, përmes një postimi në Facebook.