Islame Lajme

Me 10% të kursimeve në Trust, u blen dru 23 familjeve në nevojë

Me paratë e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale, Burim Piraj ka ndërmarrë iniciativë për t’iu dalë në ndihmë mbi 20 familjeve në nevojë për ngrohje gjatë stinës së dimrit.

Ai, përmes Këshillit të Bashkësisë Islame të Dragashit dhe shoqatën humanitare “Bereqeti” ka bërë shpërndarjen e druve për ngrohje, duke i ndihmuar 23 familje nevojtare me nga tri metra dru.

“Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” në Dragash po vazhdon me aksione humanitare në prag të stinës së dimrit për t’iu dalë në ndihmë të gjithë familjeve në nevojë. Në kuadër të kësaj iniciative “Bereqeti” ka filluar shpërndarjen e druve për ngrohje për 23 familje nevojtare me nga tri metra dru.
Këshilli i Bashkësisë Islame të Dragashit së bashku me degën e “Bereqeti” në bashkëpunim me z.Burim Pirajn, pronar i SH.P.K Meka, kanë ndërmarrë këtë iniciativë për t’iu dalë në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë për ngrohje gjatë stinës së dimrit”, thuhet në postimin e shoqatës “Bereqeti”.

Kjo ndihmë për familjes në nevojë kap vlerën e 3 mijë e 560 eurove.