Islame

PËRUROHET XHAMIA E RE NË FSHATIN MURADEMË

PËRUROHET XHAMIA E RE NË FSHATIN MURADEMË

Me një solemnitet rasti, të enjten është bërë përurimi i xhamisë në fshatin Murademë. Pjesë e solemnitetit të përurimit të xhamisë së Murademës, përveç banorëve të këtij lokaliteti, ishin edhe mysafirë të tjerë si dhe drejtuesit më të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ata të KBI- së në Prizren. Përfaqësuesi i fshatit dhe koordinatori i iniciimit për ndërtimin e kësaj xhamie, Nebi Memaj, falënderoi të gjithë ata që përkrahen këtë iniciativë për ndërtimin e këtij objekti fetar. Kryetari dhe kryeimami i KBI-së në Prizren, Besim Berisha dhe Orhan Bislimaj, falënderuan të gjithë ata që ndihmuan në ndërtimin e xhamisë, për të cilen thanë se do të jetë burim i shumë vlerave që do të përfitojnë besimtarët. Një fjalë rasti mbajti edhe ish kryetari i KBI-së në Prizren, Ali Vezaj, i cili tha se në këtë objekt fetar njerëzit do të bashkohen duke kryer obligimet e tyre fetare. Kryeimami i Kryesisë së BIK, Sabri Bajgora, tha se nga ky vend do të rrezatojë dritë për besimtarët, si dhe tha se besimi në zot nga popullata, ka mundësuar që ata të ruajnë dhe kultivojnë fenë e tyre përmes ndërtimit të xhamive në mbarë Kosovën përkundër vështirësive të ndryshme në periudha të ndryshme. Në emër të donatorëve, një fjalë rasti e ka mbajtur shkurtazi, Urim Hoxhaj. Gjatë këtij solemniteti janë kënduar ajete kuranore dhe ilahi, ndërsa numri i atyre që dhanë kontribut në ndërtimin e kësaj xhamie është rreth 300 donatorë, njoftuan iniciatorët e ndërtimit të këtij objekti, punimet e të cilit kishin filluar në muajin shkurt të vitit 2020.