Një person ka vdekur të hënën si pasojë e flakëve që kapluan automjetin me të cilën po udhëtonte në një pompë derivatesh në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, përkatësisht në fshatin Babush.
Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt kanë dhënë sot detaje lidhur me rastin.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi sot se në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Ferizajt- Sektorin e Hetimeve Rajonale, në mënyrë intensive janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, lidhur me zbardhjen e rastit të shpërthimit të veturës në pompën e derivateve “Eida Patroni” në rrugën magjistrale Ferizaj- Prishtinë.
Si pasojë e këtij shpërthimi të veturës, një person ka ndërruar jetë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, lëndime trupore ka pësuar punëtorja e marketit të pompës dhe e njëjta është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), raporton Telegrafi.
“Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat dje kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe vetura e djegur është dërguar në Stacionin e Policisë për ekzaminim dhe procedura të mëtejshme hetimore.