Ekipet e shpëtimit janë dy metra larg për të arritur tek një djalosh pesëvjeçar që ka mbetur i bllokuar prej ditësh, pasi ka rënë në një pus në veri të Marokut.
Punëtorët me gërmues mekanikë janë përpjekur gjatë gjithë kohës për të shpëtuar pesëvjeçarin Rayan pasi ai ra në një pus të thellë 32 metra, në kodrat pranë Chefchaouen, të martën.
Udhëheqësi i ekipit të shpëtimit tha se ishte e vështirë të përcaktohej gjendja e fëmijës sepse një kamerë që u hodh në pus e tregon atë të shtrirë në një anë.
Ishte gjithashtu e paqartë se sa kohë do të zgjaste gërmimi për shkak të vështirësive në lidhje me shkëmbinjtë dhe rrezikut të rrëshqitjeve të dheut.
Ekipet e shpëtimit, të cilët kanë gërmuar pothuajse deri në fund duke përdorur buldozerë dhe ngarkues të përparmë, presin që 2 metrat e fundit të jenë më të vështirat për shkak të rrezikut të rrëshqitjes së dheut.
Pasi kanë punuar pa ndalur nëpër errësirë, ata po gërmojnë gjithashtu një tunel horizontal për të arritur në vendin ku ndodhet Rayan.
Nuk ka të dhëna për fatin e djalit, por sa më shumë që kalon koha, aq më shumë lindin dyshimet nëse ai do të dalë i gjallë, raporton Guardian.
Rajoni kodrinor rreth Chefchaouen është shumë i ftohtë në dimër dhe megjithëse ushqimi është dërguar tek djaloshi, nuk ishte e qartë nëse ai ka ngrënë. Ai gjithashtu është furnizuar me ujë dhe oksigjen duke përdorur një tub.
Një helikopter po qëndronte pranë, i gatshëm për të transportuar Rayan në spital.
“Unë mbaj shpresën se fëmija im do te dalë i gjallë nga pusi. Falënderoj të gjithë të përfshirët dhe ata që na mbështesin në Morok dhe gjetkë”, tha babai i Rayan.
Nëna e djalit se Rayan kishte qenë duke luajtur aty pranë kur u zhduk të martën pasdite.
“E gjithë familja doli për ta kërkuar dhe ne kuptuam se ai kishte rënë në pus”, tha ajo.
Dhjetëra banorë të qytetit dhe të tjerë janë mbledhur për të ndihmuar dhe për të parë përpjekjet e shpëtimit. Në mbarë vendin, marokenët kanë shprehur lutjet e tyre për mbijetesën e djalit, duke përdorur hashtagun #SaveRayan, i cili ka sjellë vëmendjen globale në përpjekjet e shpëtimit.