Hadithe Islame Keshilla

Si e braktis Allahu ata qe i bejn shirk Atij !

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘Unë jam më i vetëmjaftueshmi nga të gjithë për shirkun, prandaj, ai që bën një vepër në të cilën më bën shirk, Unë e braktis atë dhe shirkun e tij.” Transmeton Muslimi. 1

1 “Kapitulli i zuhdit (asketizmit)”, nr. 2985. Shirku ndahet në dy lloje:

Shirk i madh – është mëkati më i madh, ngase Allahu i Lartësuar ka lajmëruar se nuk e fal atë, pos nëse robi pendohet. Në këtë shirk bën pjesë: lutja e drejtuar dikujt përveç Allahut, kërkimi i ndihmës/shpëtimit prej dikujt përveç Allahut, therja (e kurbanit) për dikë përveç Allahut, si dhe zotimi për dikë përveç Allahut.

Lloji tjetër i shirkut është shirku i vogël – në të bënë pjesë: rija-ja (syefaqësia), betimi në dikë përveç Allahut, po ashtu bën pjesë të shprehurit me fjalët ‘ajo që deshi Allahu dhe që deshe ti’, apo ‘nuk kam tjetër veçse Allahun dhe ty’, apo ‘unë i mbështetem Allahut dhe ty’.

Autori, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij: “El-Kauaid El-Erbea” (Katër parimet/rregullat), thotë: “Dije, Allahu të udhëzoftë në bindjen ndaj Tij!, se El-Hanifije (besimi i drejtë) e që është mileti (feja) i Ibrahimit, është ta adhurosh Allahun të Vetmin, duke ia kushtuar të gjithë fenë sinqerisht vetëm Atij, siç thotë i Lartësuari: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56). Prandaj, nëse e kuptove se Allahu të ka krijuar vetëm për adhurimin e Tij, atëherë dije se ibadeti (adhurimi) nuk quhet i këtillë veçse me teuhid (njësim të Allahut), mu ashtu siç namazi nuk quhet i këtillë veçse me abdes. Kështu që, nëse shirku përzihet me adhurim, atëherë ai e asgjëson atë, ashtu siç e asgjëson namazin prishja e abdesit. Prandaj, nëse e kuptove se sa herë që shirku përzihet me adhurimin e shkatërron atë dhe e asgjëson veprën, si dhe vepruesi i tij do të jetë prej banorëve të përhershëm të Zjarrit, atëherë ke arrit ta dish se gjëja më e

rëndësishme që duhet ta njohësh është pikërisht kjo gjë. Ndoshta Allahu do të të shpëtojë nga kjo rrjetë, e që është shirku ndaj Tij, për të cilin i Lartësuari tha: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.” (En-Nisa, 116).

Kjo arrihet duke i njohur katër parime të cilat Allahu i Lartësuar i ka përmendur në Librin e Tij (Kuran):

Parimi i parë: Ta dish se jobesimtarët të cilët i Dërguari i Allahut, (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i luftoi, e pranonin se Allahu i Lartësuar është Krijuesi dhe Drejtuesi (i këtij universi), megjithatë kjo nuk i futi ata në Islam.

Argument për këtë janë Fjalët e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” (Junus, 31).

Parimi i dytë: Ata (paganët) thonë: Ne nuk iu lutemi atyre (idhujve dhe të tjerëve) dhe nuk iu drejtohemi (me adhurime) veçse për të kërkuar afrimin (kurbe) dhe ndërmjetësimin (shefatin) (tek Allahu).

Argumenti se ata e kërkojnë afrimin (përmes adhurimit të tjerëve përveç Allahut), janë Fjalët e të Lartësuarit: “Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”, Allahu me siguri që do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë patur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.” (Ez-Zumer, 3).

Ndërsa, argumenti se ata e kërkojnë ndërmjetësimin (përmes adhurimit të tjerëve përveç Allahut), janë Fjalët e të Lartësuarit: ‘Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që as nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu”!’ (Junus, 18).

SHkeputur nga libri Bazat e besimit
Muhamed bin Abuluehab Et-Temimi