Uncategorized

Si mund t’i ndihmojë të vdekurit? – Lutja për të vdekurit

Lutja për të vdekurit, kërkimi i faljes për ta dhe dhënia e lëmoshës në emër të tyre, janë disa prej gjërave, me të cilat Zoti bën, që të vdekurit në varret e tyre të përfitojnë dhe të mbrohen. Për këtë ka shumë hadithe dhe shumë njerëz të mirë dhe të virtytshëm i kanë përjetuar në ëndrrat e tyre. Sad ibn Ubada i tha njëherë të dërguarit të Allahut: “Nënës i doli shpirti menjëherë dhe nëse do të kishte pasur mundësi të fliste, do të kishte dhënë lëmoshë. A do të përfitonte ajo nëse unë do e bëja në emër të saj?” “Po” – u përgjigj profeti. Kështu ai hapi një pus (që njerëzit të merrnin ujë) dhe tha: “Kjo është për nënën e Sadit”.

Një burrë tjetër tha: “O i dërguari i Zotit! Prindërit e mi kanë vdekur; a ka ndonjë gjë që mund të bëj, që t’u bëjë dobi atyre?” Ai (a.s) u përgjigj: “Po, janë katër gjëra: të lutesh dhe të kërkosh falje për ta, të çosh në fund premtimet e tyre, të sillesh mirë me miqtë e tyre dhe t’u kushtosh rëndësi të veçantë lidhjeve familjare, që ata do t’i mbanin, nëse do të ishin gjallë “.

Profeti (a.s) ka thënë: “Po të mos ishte për të gjallët, të vdekurit do të ishin dënuar”; pra për shkak të lutjeve, kërkimit të faljes dhe mëshirës që ata marrin.

Ai (a.s) ka thënë: “Umeti im është një umet i mbuluar me mëshirë. Anëtarët e tij hyjnë në varre me mëkate sa një mal dhe largohen prej tyre të falur, sepse të gjallët kanë kërkuar falje për të vdekurit”.

Tregohet se të mirat e lëmoshës, të lutjeve dhe të leximit të Kuranit që bëjnë të gjallët për të vdekurit, u dërgohen atyre në pjata drite të zbukuruara me shami mëndafshi nga engjëjt dhe ata u thonë të vdekurve: “Kjo është dhuratë nga filani” dhe kështu ata gjejnë gëzim dhe lumturi.

Dikush pa një të vdekur në ëndërr , sikur po e pyesnin për gjendjen e tij dhe ai tha, se kishte parë një engjëll, i cili ishte përpjekur t’i digjte fytyrën me një flakë që e mbante në dorë. Por një prej të gjallëve tha: “Zoti e mëshiroftë filanin!” dhe flaka u shua.

Një prej gjërave më të mira që mund të bëjmë për të vdekurit, është të lexojmë Kuran dhe t‘u dërgojmë shpërblimet për të. Kjo është dobi e madhe dhe bereqet. Myslimanët janë pajtuar me këtë në të gjitha kohërat. Shumica e dijetarëve dhe njerëzve të virtytshëm e kanë rekomanduar dhe ka hadithe, që e konfirmojnë. Megjithëse këto hadithe kanë zinxhirë të dobët transmetimi, ekziston një parim, siç ka thënë dijetari i hadithit el-Sujuti: “Hadithet e dobëta mund të zbatohen kur tregojnë vepra mirësie”. Dijeni, se këto me të vërtetë janë vepra të mira.

Gjithë Kurani është i bekuar dhe në të ka dobi, por gjëja më e dobishme për t’i ofruar të vdekurit është Surja el-Ihlas 11 herë dhe kjo është parë në shumë ëndrra të bekuara. Çdo njeri duhet ta lexojë këtë sure 11 herë, çdo natë, apo çdo ditë, ose më shumë ose më pak, ose edhe vetëm natën e enjte dhe t’u japë shpërblime prindërve, mësuesve apo të afërmve të tij.

Kur njeriu lutet, nuk duhet t’i harrojë të vdekurit, duhet të kërkojë falje për ta, të japë lëmoshë që as ai të mos harrohet pasi të vdesë, sepse ai që përkujton, përkujtohet dhe ai që harron, harrohet. “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës” (18:30).

Fatri Abazi

About the author

Admin

Add Comment

Click here to post a comment