Islame

Vizita e varrezave, një traditë profetike e humbur !

Vizita e varrezave është një veprim i rekomanduar nga Profeti (a.s), si një mjet që i kujton njeriut udhëtimin e tij nga kjo botë për në botën tjetër.





Enesi (r.a) transmeton se Profeti (s.a.s) ka thënë: “Unë jua kisha ndaluar vizitën e varrezave, por më pas m’u shfaq se ato zbusin zemrën, sjellin lot në sy dhe e kujtojnë njeriun për botën tjetër.”

Gjithashtu, Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vizitojini varrezat, sepse ato jua rikujtojnë vdekjen.” (Sahihu Muslim)

Ky rekomandim është i vlefshëm për burrat dhe gratë. Kjo duket qartë kur njëri nga sahabët pa Aishen (r.a) të vizitonte varrin e vëllait të saj dhe i tha asaj, “A nuk e ndaloi Profeti vizitën e varrezave?” Ajo iu përgjigj, “Po, ai e ndaloi në fillim atë, por më pas urdhëroi vizitën e tyre.” (Hakimi, Bejhakiu)

Dobitë e vizitës së varrezave nuk janë të kufizuara vetëm për personin që i viziton ato. Transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka ndonjë person që kalon pranë një varri të një besimtari, të cilin e njihte në këtë botë, që e përshëndet atë, përveçse (personi në varr) e njeh dhe i kthen përshëndetjen atij.” (el-Istidhkarr) Transmetime të tjera shprehin qetësinë dhe paqen që ndien i vdekuri, kur dikush viziton varrin e tyre.

Çfarë qëllimesh duhet të kemi kur vizitojmë varrezat?

1-Ndjekja e rekomandimeve dhe shembullit të Profetit Muhamed (s.a.s).

2-Përkujtimi i vetes për këtë botë kalimtare, çastin e vdekjes dhe për botën e përtjeme.

3-Të lutesh për vëllezërit, motrat dhe të tjerët.

4-Përmbushja e një detyrimi ndaj të vdekurve.

5-Inkurajimi i të tjerëve që të vizitojnë varrezat dhe të rikujtojnë vdekjen.

6-Të shpresosh që edhe vetë një ditë do të kesh shumë vizitorë në varrin tënd.

7-Zbutja e zemrës së njeriut me anë të rikujtimit të kësaj bote kalimtare, kthimit të tij te dheu dhe rishikimi i lidhjes sonë me Zotin dhe krijesat.