Islame Keshilla

Vlera dhe rëndësia e Salavatit

Vlera dhe rëndësia e Salavatit
Allahu (xh.sh.), në Kuranin famëlartë thotë:





“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (Ahzab, 56)

Buhariu raporton se Ebu El Alijeh ka thënë se salavati i Allahut për të Dërguarit e Tij do të thotë se Allahu e lavdëron atë para melekëve, ndërsa salavati i melekëve është lutje (dua) që i drejtojnë ata Allahut për profetin. (Hadislerle Kur’ani kerim Tefsiri Ibn Kesir,cilt 12.s.6578. Çagri yayinlari)

Fjala salavat është shumësi i fjalës salat (lutje), që në përdorimin tonë gjuhësor ka marrë trajtën e njëjësit, prandaj themi salavat.

Disa nga dobitë e dërgimit të salavateve:

1. Përfitimi i dhjetë salavateve nga Allahu (xh.sh.) – thotë Profeti (a.s.): “Kush më dërgon një salavat, Allahu atij i dërgon dhjetë salivate.” (Buhariu)

2. Kthimi i salavatit prej Pejgamberit (a.s.) – “Nuk ka asnjë mysliman që më përshëndet me selam e që Allahu të (mos) ma kthejë shpirtin për t’ia kthyer selamin.” (Imam Ahmed, Ebu Davud).

3. Afërsia me Pejgamberin (a.s.) – “Vërtet, njeriu më i afërt me mua në Ditën e Gjykimit është personi që më ka dërguar salavat më shumë.”

4. Kushtëzohet pranimi i lutjes pas salavatit. Nga Aliu (r.a.) transmetohet se Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Nuk ka asnjë lutje që në mes saj e Qiellit të mos ketë hixhab (pengesë), përderisa nuk dërgohet salavat mbi mua. Vetëm atëherë kur dërgohet salavati ngrihet ajo pengesë.” (Tirmidhiu)

5. Melekët luten për ata që dërgojnë salavat. Muhamedi (a.s.), ka thënë: “Allahu ka krijuar një grup melekësh, të cilët i urdhëron të kërkojnë vendtubime aty ku përmendet Allahu. Nëse gjejnë vende të tilla, ndalen pranë tyre, ku bëjnë amin në lutjet e besimtarëve të pranishëm. Nëse ata dërgojnë salavat, melekët së bashku me ta dërgojnë salavat, derisa besimtarët të shpërndahen, pastaj melaiket i thonë njëri tjetrit: “Lum për këta që po kthehen të falur prej Allahut.”

6. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Dita më e zgjedhur e javës është dita e xhuma. Përpiquni që gjatë kësaj dite të më dërgoni sa më shumë salavate, sepse unë do të njoftohem për salavatet tuaja.” (Ebu Davut)

7. Salavati, shkak i shpëtimit nga vështirësitë – Nga Sehl ibn Sad transmetohet të ketë thënë: “Erdhi një njeri tek Pejgamberi (a.s.), duke iu ankuar për problemet e shumta jetësore, varfërinë e madhe dhe vështirësitë e ndryshme, atëherë Muhamedi (a.s.), i tha: “Kur të hysh në shtëpinë tënde jep selam është dikush aty apo jo, pastaj më dërgo salavat mua dhe lexo Kul Huvallahu Ehad”. Ky njeri filloi të vepronte në këtë mënyrë, derisa gradualisht filloi t’i përmirësohet gjendja. Zoti ia shtoi pasurinë aq shumë, saqë ai u shpërndante të afërmve dhe fqinjëve të tij. (Xhelaul Efham fi fadli essalat ala Muhamed-Ibnul Kajjim El Xhevzij)

8. Përfitimi i mëshirës Hyjnore – Nga Umer ibni Hattabi transmetohet se Muhamedi (a.s.), ka thënë: “Kushdo që ka marrë abdest, le të thotë më pas: ‘Esh’hedu en la ilahe il-lall-llah ve enne Muhameden abduhu ve Resuluhu’, pastaj le të më dërgojë salavat, sepse këtij besimtari do t’i hapen dyert e mëshirës së Zotit. (Xhelaul Efham fi fadli essalat ala Muhamed-Ibnul Kajjim El Xhevzij)

Salavatet rrisin në zemrën e besimtarit dashurinë për të Dërguarin e Allahut. Njeriu e përmend shpesh atë që do dhe në çdo rast përpiqet të flasë me dashuri për të, duke treguar për virtytet e tij.

Ibnul Kajjimi ka thënë: “Sa herë që përmend Atë që do, duke vënë në dukje cilësitë e tij të mira, të shtohet edhe më shumë dashuria për të.”

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), ka thënë: “Koprrac është ai person, i cili nuk dërgon salavat mbi mua kur dëgjon emrin tim të përmendet.” (Ahmedi, Tirmidhiu).

Transmetohet nga Abdurrahman Bin Avfi se ka thënë: “Shkova njëherë tek Pejgamberi (a.s.) dhe e gjeta në sexhde. Prita sa të përfundonte atë sexhde që vazhdoi shumë gjatë. Pastaj më tha: “Më erdhi Xhibrili (a.s.) dhe më tha: Kush përcjell salavate mbi ty, unë do t’i përcjell salavate atij. Kush përcjell selame mbi ty, unë do t’i përcjell selame atij. Për këtë arsye, qëndrova gjatë në sexhde për ta falënderuar Allahun. (Transmeton Hakimi dhe Ahmedi).